Xhani De Biazi e nisi aventurën e tij në Spanjë me fitore, teksa Alaves pas gjashtë ndeshjesh mori tre pikët e para ndaj Levantes, skuadër që trajneri italo-shqiptar e ka drejtuar në të shkuarën.

De Biazi sqaron se në Spanjë nuk e kanë çuar paratë, por niveli i futbollit, ndërkohë që zbulon edhe punën e bërë me ekipin për të ardhur te reagimi i tyre, çka solli edhe fitoren.

“Besoj se kam ardhur në një prej kampionateve më të rëndësishëm në Europë. Ishte zgjedhje futbollistik, pasi për para mund të kisha bërë një tjetër zgjedhje. Jam në një klub serioz dhe pse jo shumë i madh. Jam shumë i kënaqur që fituam në ndeshjen e shtatë, e para e imja, pasi ekipi vinte pas 6 humbjesh dhe ishte rezultat i rëndësishëm. Më jep besim mua dhe djemve për të ardhmen. Si fillim punova pak në aspektin taktik dhe atë mbrojtës, si dhe fola me ekipin për besimin që duhet të kemi për njëri-tjetrin”, u shpreh në emisionin “Zona Gol” në Supersport De Biazi.

Më tej ai foli edhe për ndeshjet e Kombëtares, ndërkohë që zbulon edhe një mesazh që i ka dërguar Dukës: “Më mungon Shqipëria, më shumë tani që nuk jam sesa kur isha. Kur ke kaluar një periudhë të mirë në një vend ke gjithmonë nostalgji. Një ditë më parë mora një mesazh nga presidenti Duka dhe i thashë po fituat me Spanjën do ju bëjnë monument në Itali. Uroj që të fitoni aty dhe pse në ndeshjen e fundit do të bëj tifo për Shqipërinë”.

Në fund pak fjalë edhe për Serinë A dhe Etrit Berishën, vendimtar me paraqitjen e tij në barazimin 2-2 të Atalantës ndaj Juventusit.

“Jam i kënaqur për Etrit Berishën dhe faktin që ka pritur 11-metërshin e Dibala. E përcjell Serinë A vazhdimisht, madje Milan–Roma e ndoqa falë Digitalb, që e kam marrë me vete dhe këtu në Spanjë dhe falë tij mund të studioj dhe kundërshtarët e radhës”.

Share: