Xhani De Biazi ka dalë ditën e sotme në konferencë për mediat, teksa ka folur në lidhje me dy ndeshjet e radhës, ato ndaj Italisë dhe Bosnje & Heregovinës. Trajneri i Kombëtares kuqezi i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazertarëve si edhe tregoi gjendjen e lojtarëve por edhe zgjedhjet e bëra prej tij, si në rastin e Gashit që u la jashtë:

“Jemi këtu për të përgatitur ndeshjen e radhës dhe për vazhdimësi. Nuk jemi në moment të mirë, me mungesat e pezullimet, por besoj se përballja me një rival të madh është një motivim i madh, përveç dëshirës së lojtarëve për të treguar se meritojnë të luajnë rregullisht.

Ndihmëstrajneri i ri – “U prezantoj me ndihmësin tim Veroneze, e kam pasur edhe te Modena, trajner shumë i mirë. Uroj të bashkëpunojmë sa më gjatë.”

Italia në momentin e gabuar? “E njohim mirë, duhet të luajmë me zemër, sepse është ndeshje shumë e vështirë. E vështirë, por e tillë do ishte me çdo rival.”

Forma? “Disa lojtarë nuk po luajnë shumë, por kanë dëshirë të madhe. Lojtarët e grumbulluar nuk kanë probleme fizike e dëmtime. Disa luajnë pak, disa tepër, si Hysaj, që ka nevojë për pushim. Duhet të flas me lojtarët, kemi planifikuar gjithçka dhe pastaj të shohim nëse lojtarët i zbatojnë dot planet tona.”

Euforia e përmendur nga Duka? “Besoj se diskutimi i tij ishte ndryshe. Humbja kundër Izraelit na ka ulur disi me këmbë në tokë, duhet gjithnjë kujdes.”

Momenti më kritik në kombëtare? “Nuk besoj. Kemi pasur shpesh kritika, por impenjimi, profesionalizmi nuk ka munguar kurrë në skuadër dhe unë ndihem mirë për ndeshjet e mbetura, që janë më shumë se ato që kemi luajtur deri tani.”

Italia? “Rival i madh, dihet. Për ne shtohen vështirësitë, sepse Italia po kalon moment të mirë dhe i ka lojtarët në formë, duke shënuar me lehtësi. Ndeshje e vështirë, duhet dhënë 110%, pa gabime. Kemi luajtur edhe më parë ndeshje të pamundura, do zoti i befasojmë. Nëse i marrim fitoren, do isha super i lumtur, nuk ka rëndësi fakti që jam italian, sepse unë bëj një punë, jam edhe shqiptar dhe jam krenar. Kemi bërë diçka të madhe, njerëzit e vlerësojnë, edhe në rrugë më ndalin e ma thonë.”

Hyka e Gashi? “Gashin nuk e zgjedh për momentin, kaq.”

Objektivi im? “Vendi i dytë, ky është synimi im, siç kisha vajtjen në Europian, duke refuzuar oferta të leverdishme për të qëndruar me Shqipërinë. Mos besoni gjithçka shkruhet në mediat italiane, mund të më kontaktoni.”

Rinovimi? “Nuk e kam unë në dorë, e ka fjalën punëdhënësi. Me “nëse” nuk ka arsye pse të flasim.”

Mavraj? “Kemi vendosur me mjekun tonë që ai nuk luan dot, pasi grafia tregon që nuk ia del dhe është e kotë të vijë, edhe pse ai vjen e luan edhe i çalë, po t’ia kërkojmë.”

4 lojtarë nga Superiore, emergjencë apo strategji? “Superiorja po rritet vit pas viti, është përmirësuar, por edhe ata që luajnë jashtë po paraqiten mirë. Unë i ndjek të gjithë, por disa lojtarë penalizohen nga fakti që disa lojtarë janë me më shumë eksperiencë e të ambientuar me kombëtaren.”

Italia dhe Spanja? “Ndryshojnë si skuadra. Spanja luan lart, ushtron presion të madh, shfrytëzoi dy gabime tonat.”

“Zgjedhjet e formacionit nuk i bëj sot, do shohim deri ditën e ndeshjes, duke i parë të gjithë në stërvitje dhe si janë psikologjikisht.”

Ventura na nënvlerëson? “Nuk kam lexuar të na ketë nënvlerësuar. Ka shumë spekulime e shtrembërime mediatike, por Ventura nuk do ta thoshte kurrë që do të na mposhtë lehtësisht. Përballja me Venturën? Jo, është përballje me Italinë, të shohim e të shpresojmë të dalë ndeshje e bukur, pa probleme me tifozëve, duke synuar që makina jonë t’ia dalë kundër asaj të Italisë, që është superiore.”

Himni i Italisë? “Nuk ka ndryshim nëse e këndoj apo jo.”

Tags:
Share: