Partizani ishte shumë pranë kualifkimit, por goli i pësuar jashtë fushe nuk fal. Flamurtari në gjysëmfinale dhe Partizani me sytë drejt Kukësit. Klevis Dalipi, në një prononcim për “Gol pas Goli”, vlerëson skuadrën dhe tregon pengun e tij.

NDESHJA “Përjashto 15 minutat e para, kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Ne si staf kemi shumë besim te kjo skuadër. Pavarësisht se pësuam një gol nga goditjet standarte, nuk u dorëzuam, e kthyem ndeshjen dhe ishim afër kualifikimit. Më vjen keq që nuk u kualifikuam, pasi djemtë dhanë shpirtin në fushë. Mund të them që ishim dhe të pafat. Kupa u mbyll si kapitull, por ky ekip ka shumë për të dhënë. Të mendojmë për Kukësin”.

VENDI I TRETË “Shumë persona nuk kanë besuar, kur unë thoja që Partizani po rritet. Ne që jemi afër skuadrës i besojmë shumë, pasi shohim përmirësimin e djemve. Vendi i tretë është afër dhe do tentojmë deri në fund ta arrijmë”.

ARBITRI “Nuk dua të ankohem, por pengu im është goli i anulluar në Vlorë. Për sot, nuk kam ndonjë gjë”.

DEKLARATAT E JULIANOS “Ai ka thënë që në Shqipëri, të gjithë luajnë baste, por kemi patur harmoni gjatë periudhës që punuam së bashku. Juliano thjeshtë, nuk pati rezultat. Kam qënë shumë afër tij dhe nuk ka patur gjëra të tilla, çfarë deklaron tashmë. Lojtarët nuk u përshtaten me idetë e tij dhe mund të them që edhe ai ka fajin e vet të ecurisë së Partizanit”.

NDRYSHIMI “Kyçi i ndryshimit është Starova. Ai ka një meritë të madhe, sepse është i kuptueshëm nga të gjithë në mesazhin që i përcjell skuadrës. Me Julianon kaluam në krizë, pasi nuk u kuptua shumë, ndërsa direktivat e Starovës kapen më shpejt. Ekipi ynë ka dhe harmoni. Lojtarët njihen me njëri-tjetrin dhe ky është çelësi i suksesit”.

 

 

Share: