Skënderbeu e gjen Teutën në një gjendje aspak normale dhe mes vështirësish në luftën për mbijetesë, por në konferencën e dhënë për shtyp nga tekniku Daja, ai kërkon motivim nga skuadra. Pavarësisht kush zbret në fushë, ai kërkon të mos nënvlerësohet kundërshtari dhe se Skënderbeu duhet të vazhdojë paralelisht, si në Kupë edhe në kampionat.

Për Teutën…
“Nuk do ta quaja formalitet ndeshjen e kthimit me Teutën, edhe pse kemi bërë një hap të mirë, duke fituar 0-2 në transfertë. Specifika e Kupës është e tillë, me 180 minuta, kështu që do të respektojmë 90-minutëshin e radhës. Synimi është të kthehemi në performancën që kemi pasur, pse jo ta përmirësojmë atë”.

Dyshimet mbi formacionin…
“Jemi të dyzuar dhe po diskutojmë me stafin. Ka një anë që po e trajtojmë, atë se kush do që të veshë fanellën e Skënderbeut, ka 6 ditë kohë të tregojë formën e vet dhe të na thotë: jam edhe unë këtu, pjesë e rëndësishme e ekipit. E dyta është se ndonjë lojtar, që ka pasur probleme shëndetësore, siç është Jashanica, i cili ka edhe një dëmtim të lehtë, mund ta ruajmë. Do të shohim se çdo të bëmë nesër, rotacion apo minutazh për ritmin e duhur”.

Objektivat…
Është bërë filozofi e klubit tashmë që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Jemi të fokusuar te Teuta, pasi nuk kemi mbyllur ende asgjë. Nuk ke të drejtë të gabosh në Kupë. Natyrshëm që 11 pikë diferencë në kampionat na japin qetësi, por që të nesërmen e ndeshjes me Flamurtarin kemi folur dhe duam ta ruajmë këtë standard, pse jo ta thellojmë më tej, duke përmirësuar lojën tonë. Edhe vjet, siç kam diskutuar edhe me grupin, në kalimin e 4 tureve ka ndikuar ritmi, nuk ishte rastësi. Ishte një fazë e 4-t shumë e mirë, ku i fituam të gjitha ndeshjet, përveç njërës, që ishte e izoluar dhe nuk dua ta përmend. Për inerci bëmë atë paraqitje në Europë. Të mos kënaqemi me këtë që kemi arritur, por të vazhdojmë të përmirësohemi”.

Për kampionatin…
“Pas Teutës do të fokusohemi te Kamza, me të cilën kemi dy barazime në këtë kampionat. Kjo bën që ta vlerësojmë maksimalisht, sepse në fund të fundit, 3 pikët janë njësoj si ndaj Flamurtarit dhe Kukësit, ashtu edhe ndaj Kamzës, Teutës etj. Pozitive për ne është që i gjithë kontigjenti i lojtarëve është në dispozicionin tonë, veç Vangjelit, i cili mungon për kartonë”.

 

Share: