Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka folur sot në konferencën e zakonshme për shtyp para sfidës në Europa League kundër Dinamos së Kievit, duke e pranuar se do të jetë e vështirë, edhe për faktin se fitorja vlen pak, nëse fiton edhe Partizani i Beogradit. “Duhet një sakrificë e madhe që të mund të fitojmë nesër dhe kundër Jang Bojs në ndeshjen e fundit. Motivimi është, por do të jetë e vështirë. Ne kemi luajtur si të barabartë me të tri kundërshtarët. Kemi bërë një futboll të hapur dhe kjo është një arritje jo vetëm për Skënderbeun, por për futbollin shqiptar. Nuk kemi më ndjenjën e inferioritetit dhe jemi pothuajse njësoj si ata në karakter dhe në iniciativë”.

Dinamo luan pa shumë titullarë, duke qenë i kualifikuar: “Ka anët pozitive dhe ato negative. Së pari, është e rrezikshme sepse ata do të luajnë pa pikë presioni dhe kjo ndonjëherë të bën më të rrezikshëm. Nuk kanë asnjë ngarkesë psikologjike. Nga ana tjetër, është e vërtetë që kur je i kualifikuar ndoshta nuk motivohesh 100 për qind. Kjo mund të jetë pozitive. Asgjë nuk më tremb. Në disa momente të veçanta kemi vuajtur mungesën e eksperiencës, por gjithsesi ne jemi paraqitur mirë. Ajo që më tremb mua është ndonjë rezultat që nuk shkon për shtat me nivelin e lojës që kemi treguar deri tani”.

Kthehet Lilaj: “Po, Lilaj do të jetë titullar. Është i vetmi që mund të konfirmoj. Ndërsa Jashanica do ta nisë nga stoli. Sa i përket pjesës tjetër do ta mësoni formacionin nesër”.

Kampionati prioritet: “Titulli është primar për ne ndaj edhe 6 pikët me dy rivalët tanë janë më të rëndësishme. Por ama nëse fitojmë me Dinamon, mund të kishim një bonus psikologjik për të bërë sërish diferencën me kundërshtarët tanë. Do ta ndjejmë mungesën e tifozëve, sepse në këto ndeshje jo vetëm tifozët e Korçës, por të të gjithë Shqipërisë na kanë mbështetur”.

Share: