Ilir Daja doli sot në konferencë për shtyp dhe foli për ndeshjen e radhës me Laçin, Trajneri kryeqytetas pret mobilizim maksimal nga skuadra e tij, ndërkohë që e vlerëson edhe skuadrën kurbinase.

Për Dajën është shumë e rëndësishme të kapet ritmi i javëve të para.

“Pas pushimit të kampionatit duhet të kapim ritmin e katër javëve të para, ku kemi qenë mirë si në performancë, si në realizim, sepse përveç transfertës së Kamzës, me tre rivalët e tjerë kemi shënuar nga dy gola, duke marrë vetën një gol. Na duhet nesër përqendrim, sepse Laçi ka treguar se me ekipe të forta di të bëjë mirë. Duhet të kemi parasysh që 2/3 e pikëve janë me ekipet e tjera. Vlerat e fitores janë njëlloj si me rivalët për titull”.

Daja tregon se e ka studiuar mirë skuadrën e Laçit: “Natyrshëm që e kemi studiuar pasi ndeshja e radhës është fokusi për ne. Sot paradite, bashkë me ekipin i kemi nxjerrë pikat e forta dhe të dobëta. Duhet që lojtarët të jenë të motivuar, për të vijuar me të njëjtin ritëm”.

Pas Laçit Skënderbeu përballet me Lushnjen dhe më pas me Partizanin e Boegradit, por për trajnerin Daja 90-minutëshi ndaj kurbinasve është më i rëndësishmi për momentin.

“Mendojmë vetëm për ndeshjen me Laçin. Çdo lloj shpërqendrimi do ishte në dëm të ndeshjes së nesërme. Jemi mësuar me këto lloj ngjeshjesh të ndeshjeve. Nëse ne motivohemi dhe e vlerësojmë ndeshjen aq sa duhet, nuk do ta bëjmë ndeshjen të vështirë. Nëse bëjmë të kundërtën, atëherë edhe Laçi vetë ka treguar se di të bëjë mirë edhe ndaj ekipeve që pretendojnë për titull. Ky është problemi ynë kryesor, të kapim ritmin, Kemi tre pikë diferencë me ndjekësit dhe do tentojmë ta thellojmë diferencën, që më pas të fokusohemi më mirë edhe në Europa League”.

Share: