Trajneri i Skënderbeut Ilir Daja e pranon se situata për kampionët është e ndërlikuar nga dëmtimet e shumta dhe lodhja, por gjithsesi u kënaqet 3 pikve kundër Tiranës dhe sheh nga finalja në Kukës, ku kërkon gjyqtar të huaj.

“Gjyqtarë të huaj në Kukës? Nuk mendoj se janë më të mirë se shqiptarët, por për një menaxhim më të qetë të ndeshjes dhe të publikut në Kukës, mendoj që arbitrimi nga një treshe e huaj do të bënte që ndeshja të kishte më pak tension. Arbitrat tanë e kanë nivelin e duhur për ndeshje të tilla, por arbitrojnë gjithnjë nën presion. Këtu nuk përjashtoj as ekipin tim, që proteston për çdo faull”.

“Presioni është shumë i madh, kishim vetëm një rezultat në lojë dhe ajo ishte fitorja, për të vazhduar rrugën drejt objektivit final. Megjithatë, brenda këtij presioni e tensioni duhet të gjejmë qetësi për të lexuar ndeshjen, nuk duhej të kishim shkuar në ato situata të vështira në minutat shtesë. Lodhja bën të vetën, kemi pasur një kontingjent të reduktuar këtë periudhë dhe ata lojtarë që kanë qenë pjesë e 11-shes kanë minutazh maksimal, duke luajtur thuajse çdo ndeshje. Presioni ndihet, si tek ekipi, ashtu edhe te ne, sepse nuk kemi mundësi të bëjmë lëvizje direkte, por spostojmë lojtarët jashtë roleve natyrale.

“Çfarë nuk funksionoi te skuadra? Të them të drejtën, ka qenë një shpërndarje jo e mirë gjeometrike në pjesën e parë, dy-tre lojtarë janë keqkuptuar në vendosjen taktike. Edhe sulmuesit duhej të lëviznin më shumë në drejtime të kundërt. Nuk mund të them cilët lojtarë nuk ishin aty ku duhej, por në pjesën e dytë ndryshuam mënyrën e lojës, gjë që nuk e bëmë në pjesën e parë. Edhe pse morëm gjerësi në fushë, pasi Tirana u ngushtua drejt zonës, ajo që nuk bëmë mirë ishte që nuk e mbështetëm Salihin mirë dhe e lamë atë të vetëm kundër 3 lojtarëve dhe Xhejms nuk e mbështeti si zakonisht, duke luajtur shumë poshtë, ndërsa zakonisht ai është sulmuesi i parë që duhet të mbështetë Salihin.

Penalltia? Nuk e kam parë, nuk mund të komentoj ishte apo jo. Ne ishim të detyruar të prisnim, sepse Tirana ka disa lojtarë shumë të zotë në kundërsulm, ndaj përveçse duhej të sulmonim sa më shumë, duhej edhe kujdes i madh për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit të na godiste në kundërsulm. Ndeshja fitohet edhe me penallti”.

Share: