Partizani luan nesër me Teutën në Durrës dhe sot ka dalë para medieve trajneri Mark Juliano, i cili ka folur për përgatitjet gjatë kësaj periudhe dhe atmosferën në skuadër.

“Po, jemi të qetë relativisht. Djemtë kanë punuar mjaft mirë gjatë këtyre ditëve. Është një moment delikat dhe ata janë të vetëdijshëm për situatën, por ne do arrijmë që të përballemi, me mënyrat tona, me ‘armët’ tona për të rikthyer skuadrën aty ku të gjithë e dëshirojmë. Kemi pasur diskutime një marrëdhënie dhe diskutime mjaft korrekte, edhe mbi disa manovra, ndryshime sa i takon aspektit teknik e taktik. Skuadra është e vetëdijshme se ka fuqi për t’iu rikthyer rezultateve pozitive. Të gjithë lojtarë kanë besim te forcat e tyre, dhe ajo që është e rëndësishme, për t’u rikthyer dhe gjetur golat që në takimin ndaj Teutës. Nuk është momenti që lojtarët të mendojnë për krizën, është momenti të tregojmë më të mirën, lojtarët të japin më të mirën në fushë. Kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe pushimi të kampionatit. Kemi punuar mirë për 70 metrat, ndërkohë që kemi punuar që të bëjmë më të mirën sa i takon 15 metrave të fundit, ku edhe realizohet goli”, tha tekniku italian, që më pas u pyet se çfarë do të ndodhte nëse edhe ndaj Teutës Partizani nuk do gjente fitoren.

“Nuk parashikoj dot se çfarë ndodh po nuk morëm rezultat ndaj Teutës. Kemi bërë disa ndeshje të mira, por na ka munguar goli. Kjo është gjëja që na preokupon. Jam këtu për të punuat dhe lojtarët për të marrë këshillat e mira. Duhet të përmirësojmë ato gjëra që nuk kemi bërë mirë në ndeshjet e fundit dhe ta pasqyrojmë në ndeshjet e radhës me Teutën. Përgjegjësia ime është t’i vendos lojtarët në kushtet më të mira të mundshme për të dhënë maksimumin e vet. Krijojmë raste, por nuk arrijmë t’i konkretizojmë, kjo është pikë ku duhet të përmirësohemi”.

Edgar Çani mbetet temë diskutimi dhe Juliano thotë: “Diskutimi i Çanit është bërë i lodhshëm, nuk do flas më në të ardhmen. Djaloshi është një investim madhor i klubit. Ka pasur disa probleme riaftësimi, ndoshta kam pasur edhe unë gabimet e mia në aktivizimin e tij, por ai ka dashur të jetë pranë skuadrës, për ta ndihmuar. Skuadra ka pasur shumë nevojë për të dhe kemi vendosur së bashku me të që të luajë sa të ketë mundësi, 30-40 minuta. Më pas vendosëm që Çani të ndalej, sepse nuk ishte në maksimumin e vet dhe nuk duhej të nxitoheshim më kot. Më mirë të presim që të jetë 100%, që të jetë vendimtar. Derisa të mos jetë gati, nuk e aktivizoj dot, sepse pritshmëritë ndaj tij janë tepër të mëdha dhe nuk është e drejtë që të mbingarkohet me presion dhe kritika. Unë vetëm e falënderoj për gatishmërinë e tij për të luajtur edhe kur nuk ka qenë në 100%. Do ta presim derisa të kthehet Çani që njohim, ndërsa skuadra duhet të japë gjithçka dhe të kompensojë mungesën e tij. Çani ka dhënë gjithçka, ka dashur të na ndihmojë në momente të vështira, ndaj nuk pranoj që të flitet keq për të”.

Afrimet e verës deri më tani nuk është se kanë dhënë diçka për të kuqte dhe Juliano bën një analizë: “Basrak nuk ka pasur fat me dëmtimet, sapo ka shënuar dhe ka gjetur formën, është dëmtuar sërish. Selvaxho është shumë i ri, lojtar me potencial dhe të ardhme, por duhet durim. Përveç kësaj, nuk mund t’i aktivizojmë të gjithë të huajt, në bazë të rregullores, ndaj kam zgjedhur që të kem të huajt e sulmit në dispozicion, në fushë apo në stol, duke parë problemet që kemi në sulm. Si të huajt, ashtu edhe lojtarët shqiptarë, janë njësoj për mua, luajnë vetëm ata që janë më në formë dhe kanë më shumë cilësi. Në stol vetëm 6 lojtarë mund të marr, ndaj nuk është e lehtë të bësh zgjedhjet e duhura. Di që është bërë një kërkesë që stoli të jetë më i gjatë dhe nëse aprovohet, do të jetë më e lehtë për të gjithë trajnerët.

SUKAJ – “Xhevo është një lojtar i veçantë, me shumë personalitet, një lojtar që mund të të ndihmojë dhe dëshiron ta ndihmojë skuadrën të shënojë. Ai po punon shumë në aspektin fizik, për të arritur formën optimale dhe për të ndihmuar për daljen nga ky moment i vështirë, ndaj e kam gjithmonë në konsideratë. Ka pasur momente kur nuk është stërvitur ashtu si dua unë, por të gjithë duhet të mendojnë për të mirën e skuadrës, për të nderuar fanellën. Ditët e fundit jemi rritur shumë në aspektin e grupit, ndaj jam më i qetë, sepse kemi punuar mirë në kokën e lojtarëve. Gjatë kësaj periudhe janë integruar mirë edhe të huajt, sepse nuk është e lehtë kur vjen nga jashtë. Forma fizike është përmirësuar për disa lojtarë dhe tani të presim e të shohim në ndeshje”.

TEUTA – “Është e vërtetë, Teuta është skuadër shumë agresive, ndaj do të duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, përndryshe teknika e taktika vlejnë pak. Do të përdorim armët tona për t’i bërë ballë Teutës, me forcën e grupit që kemi, grup që e di që duhet të jetë më “i keq”, më agresiv dhe me më shumë dëshirë se kundërshtari. Do të luajmë ndaj Teutës njësoj sikur të kemi përballë skuadrën më të fortë në botë, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke goditur kur të na jepet rasti. Tani të presim verdiktin e fushës”.

SOUE – “Është një lojtar që e kam pasur më parë në skuadër, në Itali. Tani po ecën mirë, kur e kisha unë kishte disa probleme, nuk mund të stërvitej në fushë me bar artificial. Duke qenë se Partizani stërvitet vetëm në bar sintetik, Soue do të kishte probleme. Nga merkatoja nuk do të ndryshoja gjë, thjesht do të ndryshoja vetëm rezultatet, po ta kisha në dorë.

ASANI – “Po punojmë me të në aspektin fizik, sepse nuk ishte gati dhe i duhet një program stërvitor i veçantë, për të arritur formën maksimale. Është një lojtar shumë interesant dhe për momentin po luan me Partizanin B, për të kapur formën e vet më të mirë”.

Share: