Alban Bushi u shpreh i kënaqur me lojën që skuadra e tij zhvilloi ndaj Islandës, edhe pse në fund nuk ia doli të fitojë. Tre pikët do u bënin shumë punë kuqezinjve, që do të ishin kandidatë potencialë për vendin e dytë, edhe pse janë ende në garë, pasi ka shumë ndeshje për t’u luajtur.

“Përgjithësisht ishte një ndeshje e barabartë, pavarësisht se ne ishim disi më mirë se kundërshtari në qarkullimin e topit. E dinim që kishim të bënim me një kundërshtar shumë të fortë, që rrinte shumë në mbrojtje. E kishim të vështirë t’i cacnim nga mesi dhe menduam të dilnim nga krahët në pjesën e parë, por patëm sërish të vështirë. Mendoj se në pjesën e dytë funksionoi më mirë loja dhe krijuam ato rastet për shënim. Gjithsesi jam i kënaqur edhe me pikën, sepse jemi një ekip që jemi ribërë, pasi çdo muaj kemi mungesa, nga ndeshja në ndeshje kemi mungesa. Nga ndeshja e parë në Islandë katër lojtarë nuk luanin sot: Durmishaj i dëmtuar, Ndoj që ishte në ekipin Kombëtar A, Doka për arsye taktike, apo Laçi që vinte nga një dëmtim”, tha fillimisht kreu i Shpresave.

Kuqezinjtë duhet të shënonin një gol dhe mungesa e Durmishajt u ndje, ndërkohë që ishte Mustafa ai që duhet të udhëhiqte skuadrën e tij përpara. Fjalë të mira nga Bushi ka edhe për Selmanin dhe për skuadrën në përgjithësi.

“Mendoj se sulmuesi Mustafa e bëri mirë detyrën e tij, por duhet të kujtojmë se është vetëm datëlindja ’98 dhe është premtues për sezonin tjetër, ashtu si pjesa më e madhe e ekipit. Luanim me një kundërshtar me lojtarë të datëlindjes ’96, që janë shumë të fizikshëm dhe ishte e vështirë t’i çash. Portieri Selmani ishte shumë i rëndësishëm për ne, ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm, por gjithsesi e gjithë skuadra funksionoi shumë mirë. Të paktën luftojnë shumë mirë, japin maksimumin dhe kjo është e rëndësishme. Nuk ka probleme nëse bëjnë gabime teknike, është normale. Janë të vegjël dhe do mësojnë. Disa prej tyre mund të luajnë në të ardhmen në ekipin e parë”.

Më tej Bushi foli për barazimin dhe ndeshjen e radhës: “Ne kërkonim fitoren, pavarësisht se ishte një ekip i fortë, që kishte mundur Sllovakinë para disa ditësh. Janë favoritë për vendet e para së bashku me Sllovakinë dhe Spanjën, por ne i morëm katër pikë dhe jam i kënaqur për këtë dhe për lojën. Kur ke një ekip që luan mirë, vendoset mirë, edhe nëse nuk fiton kjo të kënaq. Irlanda e Veriut? Duhet të fitojmë, nuk janë si Islanda, por janë ekip i fortë, shtatlartë. Duhet të shënojmë gol në Elbasan, pasi në dy ndeshjet e para nuk kemi mundur dot, edhe pse kemi pasur disa raste të pastra”.

Share: