Para pak ditësh, Xhixhi Bufon festoi 40-vjetorin e lindjes. Me shumë mundësi, ky mund të jetë sezoni i fundit i portierit të famshëm të Juventusit dhe Italisë. Më këta të fundit e mbylli para kohe. Ajo natë e tmerrshme nëntori, ku Suedia u nis për Botërorin e Rusisë, ndërsa italianët mbeten në shtëpi, i hoqi Bufonit të drejtën për të luajtur Botërorin e 6 në karrierë. Të gjashtin, si askush më parë. Portieri u largua mes lotësh dhe gjithë tifozët u trishtuan nga ajo skenë. Por një portier dhe sportist si Buffon nuk meriton kurrsesi atë lloj mbyllje.

Ai mund të kthehet në kombëtare. Tekniku provizor i axurrëve, Xhixhi Di Biaxho po mendon ta ftojë për dy miqësoret e ardhshme. Në 23 mars, Italia përballet me Argjentinën në Mançester, ndërsa katër ditë më vonë, të kaltërit luajnë përballë vendasve në Londër. Di Biaxho do e ftojë Bufonin dhe ky i fundit nuk mund të refuzojë. Siç citon “Corriere dello Sport”, është pothuajse e sigurtë që portieri i Italisë në ndeshjet me Argjentinën e Mesit dhe Anglinë, do të jetë Xhixhi Bufon.

Gardiani i Juventusit mban rekordin e ndeshjeve me përfaqësuesen (175 ndeshje), por i duhet vetëm 1 tjetër, për të thyer një tjetër rekord. Një ndeshje më shumë me shiritin e kapitenit në krah dhe Bufon kalon Kanavaron duke u bërë numri 1 absolut dhe si kapiten i ekipit. Plot 80 ndeshje me shiritin në krah.

Një tjetër rekord, i disati i një karriere që i shkel syrin përjetësisë: madje e ardhmja e tij me Juventusin duket e destinuar të shkojë përtej qershorit. Duhet të presim vendimin e tij, por me shumë mundësi, të paktën dhe dy herë, Bufonin do e shohim të mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së kaltër. Miliona tifozë refuzojnë të mendojnë të kundërtën…

Share: