Xhanluixhi Bufon është shfaqur i habitur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Shqipërinë. Për herë të parë ka qenë në vitin 1995, asokohe përballej në kupat e Europës me Teutën dhe gardiani italian ishte pjesë e Parmës.

“Kam qenë në Shqipëri thuajse 23 vjet më parë, pasi kam luajtur me Parmën ndaj Teutës. Kjo është hera e dytë që vij në vendin tuaj. Kanë kaluar shumë vjet, por më duket sikur Shqipëria po evoluon, është bërë një vend i bukur dhe me njerëz optimistë. Kjo më lumturon, sepse në fund fatet e Shqipërisë dhe Italisë janë ndërthurur gjatë historisë”, deklaroi Bufon në konferencë për shtyp, ndërsa më poshtë tregon se njeh pa historinë e vendit tonë dhe zbulon çfarë i bën përshtypje.

“E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme”.

Lidhja Shqipëri-Itali është me madhe dhe ndikimi italian në vendin tonë evidentohet edhe Bufon: “Shumë lojtarë luajnë aktualisht në kampionatin tonë, të tjerë kanë luajtur ose janë rritur aty. Më vjen mirë që në këto vitet e fundit Shqipëria ka arritur rezultate të mëdha me këta futbollistë dhe me trajnerët italianë. Në këtë këndvështrim besoj se ju kemi ndihmuar për tu rritur në futboll. Panuçi është ish-shoku im i skuadrës, besoj se do të vazhdoni të përmirësoheni, pasi ai ka aftësinë dhe eksperiencën për të punuar mirë drejt kësaj rruge të re me Shqipërinë”.

 

 

 

Share: