Erion Bogdani nuk e fshehu dot dëshpërimin për humbjen 1-7 ndaj Norvegjisë dhe mori përgjegjësinë e disfatës. Ish-sulmuesi i Kombëtares, tashmë në krye të Shqipërisë U19, nuk e kupton se si skuadra e tij u shthur në atë mënyrë.

“Ndeshjen e kishim përgatitur mirë, por është e pashpjegueshme një ndeshje e tillë nga të gjithë. Si trajner nuk diskutohet që jam përgjegjësi i gjithë humbjes. Është e pashpjegueshme, edhe pse ky formacion ka luajtur i gjithi edhe kundër Ukrainës, duke bërë një ndeshje shumë të bukur, që pavarësisht se humbëm nuk e meritonin. Pas golit ndodhi një “black out” i pakuptueshëm. Të gjithë luajtën dobët, por unë jam përgjegjësi. Më vjen keq për mënyrën se si dolëm nga ky kompeticion, për arsye se në dy ndeshjet e para këta djem kanë luajtur shumë mirë. Megjithatë ekipi pas golit u shthur, luajtëm shumë keq dhe e merituam humbjen”, deklaroi fillimisht në RTSH “Bogu”, ndërkohë që më pas pranoi se do të ketë një analizë për atë që ndodhi.

“Padiskutim që do të ketë analizë, por duhet të shohim përpara. Kemi shumë lojtarë të vitit 2000 që kanë qenë në këtë grumbullim dhe kanë luajtur. Megjithatë, e thashë që jam unë përgjegjësi kryesor i kësaj humbjeje. Këta janë djem të rinj dhe e ndjejnë peshën e ekipit kombëtar. Pas rezultatit 1-0 donin ta fitonin ndeshjen edhe më thellë dhe nëse Ukraina fitonte, atëherë kualifikoheshim”, shtoi trajneri i të rinjve kuqezi.

Për kualifikueset e radhës do të ketë ndryshime, pasi një pjesë e lojtarëve që ishin grumbulluar nuk e kanë më moshën për të luajtur me Shqipërinë U19.

“Patjetër që do të ketë ndryshime, edhe futbollistë që do vijnë, pasi pas këtij viti do luajnë datëlindja 2000 dhe 2001. Të gjithë lojtarët e datëlindjes 1999 nuk do të jenë më pjesë e ekipi, pasi kalojnë te Shpresat. U dhashë mundësinë të luanin, ndërsa sot luajtëm keq. Repartet ishin shumë të shkëputura me njëri-tjetrin dhe e merituam humbjen”.

Share: