Partizani u mposht nga Kasimpasha, vetëm në fund. Mbas ndeshjes, tekniku Starova ka folur për kanalin zyrtar të klubit, duke analizuar me detaje miqësoren.

“Ishte ndeshja jonë e parë pas 4 ditësh përgatitje, përfshirë edhe një seancë paraditen e sotme.

U përballëm ndaj një kundërshtari që ka një nivel të lartë , është në fund të përgatitjeve dhe këtë javë rinis kampionatin”.

“Duke u nisur nga këto rrethana, do të thoja që jemi të kënaqur nga paraqitja e ekipit, verifikuam shumë mirë veprimet mbrojtëse të skuadrës dhe shfrytëzuam sulmin e shpejtë. Sigurisht që vuajtëm në zotërimin e topit , sepse kundërshtari e përsëris është pjesë e superligës turke një kampionat i fortë dhe ka mundësitë dhe kualitetet të zotëronte topin më tepër”.

“Nga ana tjetër, ne jemi mbrojtur mjaft mirë , me disa gabime të vogla në momente të ndryshme, por në pjesën më të mirë, skuadra ka shfaqur shpirt të lartë gare”.

“Në pjesën e dytë sidomos, kemi patur disa mundësi të mira shënimi dy herë Bardhi , Progni, dhe për të përmendur rastin mjaft të pastër të Trashit, i cili gaboi me portën bosh. Kemi qenë më efikas se kundërshtari në faullet e lira dhe goditjet nga këndi. U ndëshkuam në momentin kur loja ishte drejt përfundimit. Pavarësisht një ndeshje miqësore, do ishte më mire për skuadrën sikur të merrnim një rezultat pozitiv”.

Në fund dy fjalë dhe për lojtarët e rinj të ekipit. “Lojtarët e afruar së fundmi duan akoma kohë për të marrë minuta loje dhe aktivizimi i tyre mund të jetë në miqësoren e ardhshme” përfundon tekniku i Partizanit.

Share: