“Jemi të kënaqur me barazimin, pasi e merituam atë. Të bësh një ndeshje të tillë ndaj ekipit më të fortë në Itali të jep një ndjenjë të bukur”, kështu e nisi deklaratën e tij Etrit Berisha pas ndeshjes me Juventusin, që Atalanta e barazoi me shifrat 2-2.

Portieri i Kombëtares priti edhe një penallti, ndërkohë që tregon se si ia arriti qëllimit:  “Vendosa në moment ç’do të bëja. Edhe pse e kam parë si gjuan, ishte e vështirë. Prita deri në momentin e fundit dhe e kuptova ku do ta çonte topin. Ndjesi e bukur, por jam i lumtur mbi të gjitha për faktin se morëm një pikë të rëndësishme për ne. Rikuperuam dy gola, të humbnim do të ishte zhgënjyese, ndaj jam i lumtur që ndala penalltinë e një lojtari si Dibala”.

Goli i parë i është faturuar Berishës: “E pashë topin në sekondën e fundit, ishte shumë e vështirë sepse nuk dija a ta bllokoja, a ta grushtoja. Rrezikova dhe tentova ta ndal, por më rrëshqiti nga duart”.

Në fund ka dy fjalë edhe për VAR: “E vërtetë, duhet goxha kohë, por sipas meje me kalimin e kohës do të mësohemi, duke shpresuar që gjërat të ecin më shpejt. Kur shënon dhe duhet të presësh është një situatë e çuditshme”.

Share: