Liria e Prizrenit ka një “koloni” shqiptarësh në përbërje të saj. Një ndër to është edhe mbrojtësi Eltion Basriu, i cili është përshtatur mjaft mirë në futbollin Kosovar.

Një nga arsyet që klubi i Lirisë është në mesin e skuadrave më të mira, i ka pikërisht Basriu, pasi reparti i mbrojtjes ka qenë në nivel të kënaqshëm. Mbrojtësi nga Elbasani ka dhënë një prononcim për “Korneri.net”, teksa ka folur ecurinë e skuadrës së tij, por edhe për diferencat midis kampionatit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

“Pjesa e parë e kampionatit shkoi shumë mirë për mua dhe për Lirinë, pasi jemi akoma brenda objektivave që ka vendosur klubi. Ndërsa nga ana personale më ka shkuar shumë mirë, pasi jam ambientuar shumë shpejt me qytetin dhe në përgjithësi me të gjithë. Vlerësimi ndaj meje do të thotë një privilegj për mua dhe një shtysë që unë të punoj më fortë dhe t’i tregoj akoma më shumë vlerat e mia dhe t’iu shpërblej besimin tim të gjithëve që më kanë vlerësuar.

Dallimi midis Superiores së Shqipërisë dhe Vala Superligës së Kosovës janë terrenet shumë të mira, si dhe fakti që në Shqipëri luhet më shumë taktikisht. Në përgjithësi kushtet janë më të mira, mirëpo për një kohë të shkurtër do jetë dhe Kosova me hapat e njëjtë të Superiores”.

Share: