Migjen Basha, mesfushori i barit, ka folur për “Supersport: në momentin e mbërritjes në aeroportin e Rinasit, teksa tregon për eksperiencën e tij te Bari këtë sezon. Më pas tema është Kombëtarja, humbja me Izraelin dhe ndeshja me Italinë, e cila është në prag, pasi luhet më 24 mars në Palermo.

“Ardhja e trajnerit të ri te Bari më ka dhënë shumë besim. I kam zhvilluar të gjitha ndeshjet dhe kjo është e rëndësishme. Kjo është pozitive për mua, pasi kam marrë formën. Pas dëmtimit te Torino ka qenë shumë e vështirë, pasi kam qëndruar një vit jashtë fushe. Muajt e fundit më kanë ndihmuar të fitoj formën më të mirë”.

“Ndeshja me Izraelin na i ka komplikuar të gjitha planet që kemi pasur. Me Spanjën pritej që të humbnim, është normale. Problemi është që kemi humbur shumë keq me Izraelin. Nëse do të marrim në Itali rezultat pozitiv, atëherë ka sërish shanse. Ndryshe do jetë shumë e vështirë, pasi luajmë disa ndeshje në transfertë”.

“Italia? Duhet të veprojmë siç kemi bërë para çdo ndeshjeje tjetër. Na duhet të mbrohemi mirë. Me Spanjën ishim mirë deri kur pësuam golin, ndërkohë që dihej se do luanim të tërhequr pasi ata do e mbanin topin. Duhet të bëjmë atë që kemi bërë çdo herë. Kur u kualifikuam në Europian, përdorëm kundërsulmin dhe duhet ta bëjmë sërish mirë. Nëse e sulmon Italinë, atëherë do të pësonim shumë gola”.

Share: