Zbulimi i sezonit, një ndër skuadrat më të bukura në botë, Monako, ka habitur të gjithë me futbollin sulmues dhe talentet e shumtë që ka në përbërje. Titulli kampion duket i sigurt dhe sot luhet kundër Juventusit në Champions League, por si zakonisht, gjithçka ka koston e vet dhe Monako rrezikon të humbasë gjithë yjet e vet këtë verë.

Një ndër klubet më të interesuar për xhevahirët e Monakos është Bajerni i Mynihut, që ka nisur rindërtimin e skuadrës dhe kërkon lojtarë të rinj, pasi kapiteni Lam e mesfushori Çavi Alonso e mbyllin me futbollin këtë verë, ndërsa lojtarë si Roben e Riberi nuk janë më në lulen e rinisë.

Ish-futbollisti i famshëm i Bajernit, Lotar Mateus, ka zbuluar se shefi i zbulimit te Bajerni ka vëzhguar nga afër Monakon, me emra si Kilian Mbappe, Tiemue Bakajoko e Bernardo Silva që janë të vëzhguar specialë nga shumë klube.

“Kam marrë vesh që Mikael Reshke, shefi i vëzhguesve të Bajernit, ka qenë në stadium në ndeshjen Monako-Dortmund. Me siguri nuk ka pasur nevojë të vëzhgojë Dortmundin, ndaj mos u habitni nëse një ose më shumë lojtarë të Monakos përfundojnë në Mynih këtë verë”, ka deklaruar Mateus.

Share: