Arsenali ka fituar Supërkupën angleze ndaj Çelsit me anë të 11-metërshe, pasi ndeshja u mbyll në barazim.

Ndeshja u mbyll në shifrat 1-1, ku të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, të parët që kaluan në avantazh ishin blutë me anë të Moses që në minutën e 46-të.

Ndërsa topçinjtë kanë arritur të barazojnë rezultatin vetëm pas daljes me karton të kuq të Pedro Rodriguezit në minutën e 82. Spanjolli shkaktoi një faull të rëndë dhe nga ajo goditje dënimi erdhi edhe goli. Goditja e dënimit u ekzekutua nga Granit Xhaka, ndërsa golin e shënoi blerja e re e Arsenalit Kolashinaç.

Më pas ekipet iu drejtuan 11-metërshave ku për herë të parë u zbatua ndryshimi në penalltitë ku ekipet gjuajnë nga dy penallti radhazi. Rezultati i penalltive doli 4-1 në favor të Arsenalit ku për Çelsin penalltitë i humbën Kurtua dhe Morata.

Share: