Argjentina po përgatitet për një revolucion të vërtetë në skuadër. Kombëtarja albiceleste po kalon një krizë tejet të madhe teksa rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në kampionatin Botëror, Rusi 2018.

Pas shkarkimit të Edgardo Bauzës, vendin e tij pritet që ta marrë Horge Sampaoli, trajner aktual i skuadrës së Seviljes njihet mjaft mirë në Argjentinë për shkak se ka arritur të bëjë historinë me Kilin duke fituar Kupën e Amerikës pikërisht përballë Argjentinës.

Tashmë mediat e huaja kanë filluar të mendojnë se çfarë do të bëjë Sampaoli sapo të zgjidhet në krye të Kombëtares ku bën pjesë edhe Leo Mesi.

Pritet që të ketë një revolucion të vërtetë duke bërë spastrime dhe afrime të reja në ekip, ku padyshim emri i parë që shkon ndërmend është ai i Mauro Ikardit. Sulmuesi i Interit lihet vazhdimisht jashtë listës për shkak të problemeve jashtë fushe me Maksi Lopezin.

Thirrja e tij në Kombëtare pritet që t’i kushtojë vendin Gonzalo Higuainit, teksa emrat e tjerë që flitet se janë në listën e Sampaolit janë mesfushori i Romës, Paredes dhe mbrojtësi i Milanit ,Vanxhioni.

Share: