Karlo Ançeloti është një ndër trajnerët më të mëdhenj në qarkullim, duke pasur një mal me trofe në arkivë, por në Mynih po kthehet në një person shumë antipatik dhe zhgënjyes. Kritika pa fund pas humbjes kundër PSG-së, por pakënaqësia ndaj italianit ka kohë që po pëshpëritet në Gjermani.

Ajoqë ka tërbuar më shumë gjermanët ka qenë se Ançeloti kishte hedhur në fushën e lojës një formacion pa Frenk Riberi, Arjen Roben, Mats Humels e Zherom Boateng.

“Nuk mund të them se kemi luajtur shumë keq. Kemi pasur kontrollin e topit, por na ka munguar shpejtësia dhe rrezikshmëria. Na ka munguar ekuilibri në fushë dhe për këtë jemi ndëshkuar. Nuk mendoj se kam rrezikuar shumë me rreshtimin e skuadrës në fushë. Kur hodha këtë skuadër në fushë, e bëra me besim të plotë se do të fitonim ndeshjen. Për mua si trajner i Bajernit, ai që nisi takimin ishte formacioni më i mirë. Sigurisht që e di se do të përballem me kritika, por kjo është diçka e zakonshme në profesionin tonë”- ka thënë Ançeloti pas ndeshjes, por nuk mjafton për të qetësuar tifozët dhe mediat në Gjermani.

Në rrjetet sociale tifozët bavarezë kanë ngritur krye, duke kërkuar largimin e italianit, ndërsa kanë filluar të dalin zërat edhe për pasuesin, me Julian Nagelsman të Hofenhajmit që duket emri i preferuar nga të gjithë, por për sezonin e ardhshëm.

Share: