Dinamo u mund nga Kukësi në miqësore ditën djeshme, por pavarësisht kësaj, trajneri Igli Allmuça është shprehur i kënaqur me atë çka paraqiti skuadra e tij në fushën e blertë ndaj kampionëve.

Më tej ai foli edhe për planet e bluve, shpresën që të rikthehen në elitë dhe për derbin me Tiranën, që mund të luajnë për momentin vetëm në miqësore.

NDESHJA – “Mora sinjale mjaft pozitive nga skuadra, sidomos në pjesën e parë që u mbyll në barazim 0-0. Duke pasur parasysh lodhjen, menduam të kryenim disa zëvendësime, me lojtarë që janë pjesë e ekipit, apo që kanë ardhur për t’u provuar. Mendoj që kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kemi një skuadër me 19-20 vjeçarë dhe nëse do të bëjmë tre-katër përforcime me lojtarë cilësorë, që nuk kanë vetëm emrin, mendoj që do të bëjmë një skuadër shumë të fortë”.

PLANI – “E theksoj se me tre katër lojtarë cilësorë do të ndërtojmë një skuadër shumë të fortë dhe ndoshta pretendente. Këta të rinj janë mjaft premtues për skuadrën, por nuk mund të merren menjëherë frytet e punës. Duhet durim, pasi ne këtë vit e kemi nisur këtë projekt. Nëse do ta kishim nisur përpara dy vitesh, vetëm me këta të rinj do të pretendonim të hynim në Superiore, por më mirë vonë se kurrë”.

E ARDHMJA – “Sigurisht që Kukësi vazhdon të jetë në nivele të larta, ndërsa për Dinamon shpresoj që një ditë të kthehet si Partizani dhe ta kalojë momentin e vështirë. Të shpresojmë. Kur mu ofrua të drejtoja Dinamon për mua ishte privilegj, por edhe promovim dhe eksperiencë për të ardhmen time”.

DERBI – “E kemi të mërkurën një miqësore me Tiranën. Të luanim në kampionat një derbi do të ishte më mirë, por kështu u vendos edhe për ne nuk ka problem. Besoj që këtë vit, me kalimin e disa skuadra nga grupi i jugut në atë të veriut janë balancuar disa ekipet. Besoj që të dy grupet janë bërë të fortë”.

 

 

 

 

Share: