Armando Sadiku dhe Ezgjan Alioski janë kthyer në dy lojtarët lider të skuadrës së Luganos në këtë moment. Dy sulmuesit janë duke kaluar një formë të shkëlqyer në javët e fundit duke i dhënë fitore dhe pikë të rëndësishme ekipit të tyre për të arritur objektivat e tyre.

Lugano që tani drejtohet nga Paoli Tramexani në pjesën e parë të sezonit ishte kanditate për të rënë nga kategoria, ndërsa tani ata synojnë që të arrijnë në Kupat e Europës falë fitores në javën e fundit ku si Alioski dhe Sadiku ishin protagonistë.

Të dy sulmuesit shqiptarë, ( Alioski ka zgjedhur të luajë për Maqedoninë) janë kthyer edhe në idhujt e tifozërisë së Luganos teksa në ndeshjen e fundit për nder të tyre ka qenë e varur një banderolë nga tifozët në shkallët e stadiumit.

Ndërkohë edhe vetë faqa zyrtare e Luganos ka shkruar këtë koment në rrjetet sociale: “Tifozët, përveçse kanë mbështetur skuadrën nga fillimi në fund, kanë bërë edhe një banderolë shumë simpatike për dyshen e mrekullive Alioski – Sadiku”.

Share: