Ansi Agolli, kapiteni i Shqipërisë, ka provuar të luajë në Europian vitin që kaloi, ndërkohë që këtë vit iu plotësua një tjetër ëndërr dhe me Karabakun luan në grupet e Champions League.

Lojtari i linjës së majtë ishte në fushë kundër Romës, ndeshje debutuese për të në këto nivele dhe në një prononcim që ka bërë në “Supersport”.

“Ishte ndeshja ime e parë në grupe. Është një emocion i madh të luash në këtë kompeticion mjaft të rëndësishëm të Europës dhe ndihem mjaft mirë. Dhashë maksimumin tim që ta ndihmoja skuadrën”.

“Emocionet? Është një ndjenjë mjaft e mirë, pasi të luaja në grupet e Champions League ka qenë një ëndërr e hershmja e imja. Mundohem të jap më të mirën nga ndeshja në ndeshje, ta luaj si finale dhe të ndihmoj ekipin, pasi vetëm kështu mund të japësh më të mirën”.

Pas ndeshjes me Maqedoninë për Agollin ka pasur një dëmtim, por tashmë ai e ka kaluar atë: “Besoj se e kam kaluar dëmtimin dhe dalëngadalë do marr edhe formën më të mirë. Ishte vetëm ndeshja e parë pas dëmtimit, ndërsa të dielën do të kemi një ndeshje të rëndësishme për kampionat për skuadrën tonë. Më pas do të mendoj për dy ndeshjet e Kombëtares, që janë mjaft të forta”.

Italia dhe Spanja janë dy ekipet me të cilët përballet Shqipëria më 6 dhe 9 tetor: “Janë dy ndeshje mjaft të vështira, sikurse e dini edhe ju që bëhet fjalë për dy skuadra mjaft të forta. Duhet të zbresim në fushë dhe të japim më të mirën. Nuk kemi asgjë për të humbur në këto dy përballje, veçse të fitojmë sa më shumë eksperiencë, të luajmë sa më shumë në grup dhe t’i shijojmë këto dy sfida, pavarësisht se përballe do kemi dy skuadra mjaft të forta”.

Share: